Shqipëria do ti nënshtrohet pas 12 vitesh programit të vlerësimit të sektorit financiar
Vlerësimi i përbashkët nga FMN dhe Banka Botërore pritet të kryhet në vitin 2026 dhe do të testojë qëndrueshmërinë e sistemit financiar shqiptar.

Shqipëria do t’i nënshtrohet pas 12 vitesh një Programi të plotë Vlerësimi të Sektorit Financiar (FSAP), i realizuar bashkërisht nga Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Banka Botërore. Lajmi është konfirmuar nga shefja e misionit të FMN-së për Shqipërinë, Anke Weber, në një intervistë për “Monitor”, ku thekson se vlerësimi do të zhvillohet gjatë vitit 2026.
Sipas Weber, FSAP do të analizojë në mënyrë të thelluar qëndrueshmërinë e sektorit financiar ndaj goditjeve, do të identifikojë cenueshmëritë e fshehura dhe do të vlerësojë efektivitetin e rregullimit dhe mbikëqyrjes financiare, me synimin që sistemi financiar shqiptar të mbetet i fortë përballë sfidave në zhvillim.
Çfarë është Programi FSAP
Programi i Vlerësimit të Sektorit Financiar (FSAP), i themeluar në vitin 1999, është një vlerësim gjithëpërfshirës dhe i thelluar i sektorit financiar të një vendi. Në ekonomitë e zhvilluara, FSAP kryhet nga FMN-ja, me fokus në qëndrueshmërinë financiare, cilësinë e kuadrit rregullator dhe kapacitetin për menaxhimin e krizave.
Në ekonomitë në zhvillim, si Shqipëria, vlerësimi realizohet në bashkëpunim me Bankën Botërore dhe përfshin edhe rekomandime zhvillimore, të përshtatura sipas rrethanave specifike të vendit.
Rezultatet e FSAP përkthehen në rekomandime mikro dhe makroprudenciale, si dhe në masa konkrete për forcimin e sistemit financiar.
FSAP dhe integrimi europian
Ky vlerësim vjen në një moment kyç për Shqipërinë, e cila ka avancuar në procesin e integrimit europian. Vitet në vijim do të jenë vendimtare për përafrimin e kuadrit ligjor dhe rregullator financiar me standardet e Bashkimit Europian.
Në fund të vitit të kaluar, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, paralajmëroi se në periudhën 2026–2027 kuadri ligjor dhe rregullator i sektorit bankar do të përafrohet plotësisht me atë të BE-së. Ai theksoi se ky proces kërkon bashkëpunim të ngushtë me industrinë bankare, për të siguruar adoptim korrekt dhe përfitime sa më të shpejta.
Sipas Sejkos, FSAP do të shërbejë si një “certifikatë ndërkombëtare” për cilësinë e kuadrit ligjor, praktikave të mbikëqyrjes dhe administrimit të rrezikut në Shqipëri, duke evidentuar njëkohësisht boshllëqet dhe duke orientuar reformat e mëtejshme.
Rekomandimet e FSAP 2013
Programi i fundit FSAP për Shqipërinë u zhvillua në vitin 2013 dhe gjetjet u publikuan në fillim të vitit 2014. Në atë kohë, sektori financiar ndodhej nën presionin e lartë të kredive me probleme.
Një nga rekomandimet kryesore ishte intensifikimi i masave për uljen e kredive me probleme. Pas ndërhyrjeve të qeverisë dhe Bankës së Shqipërisë, ky tregues u ul gradualisht dhe sot ndodhet pranë nivelit më të ulët të 16 viteve të fundit.
FSAP rekomandoi gjithashtu zvogëlimin e rreziqeve sistemike nga zotërimi i lartë i letrave me vlerë qeveritare nga bankat dhe zhvillimin e tregut dytësor të titujve. Megjithatë, deri më sot, ndryshimet në këtë drejtim kanë qenë të kufizuara dhe tregu dytësor mbetet i pazhvilluar.
Një tjetër fokus ishte adresimi i rreziqeve të euroizimit të lartë. Banka e Shqipërisë zbatoi një paketë masash për uljen e euroizimit, por rezultatet kanë qenë modeste.
FSAP theksonte nevojën për forcimin e mbikëqyrjes bankare, përmirësimin e mbikëqyrjes së bazuar në rrezik, zgjerimin e mbikëqyrjes së konsoliduar dhe rritjen e kapaciteteve institucionale. Po ashtu, rekomandohej reformimi i Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare për të garantuar pavarësinë dhe efektivitetin e tij në mbikëqyrjen e institucioneve jo-bankare.
Burimi: Monitor.al
Më të lexuarat






